Në takimin e fundit rajonal zhvilluar në Qarkun e Elbasanit me drejtues të këshillave vendorë nga Qarqet Elbasan, Korçë dhe Berat për hartimin strategjisë së re të decentralizimit pati gjithashtu ide dhe propozime me fokus një rol më aktiv të këshilltarëve bashkiakë në raport me komunitetet, formimin e këshilltarëve, financimin e projekteve në këtë drejtim, etj.
Takimi u çel nga z.Bukurosh Stafa drejtues i Këshillit të Qarkut Elbasan i cili shprehu mirënjohjen për punën që po bën Shoqata e Qarqeve me gjithë angazhimin aktiv në Strategjinë e re të Decentralizimit fokusuar në forcimin e rolit të këshillave vendorë në territor, duke i cilësuar si një aset i rëndësishëm në shërbim të qytetarëve.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut të Korçës znj. Ana Verushi u shpreh se procesi i decentralizimit në fazën e dytë tashmë është i rëndësishëm. “Edhe si Zëvendëskryetare e Shoqatës se Qarqeve çmoj dhe vlerësoj gjithë angazhimin tonë në procesin e hartimit të strategjisë së decentralizimit” tha ndër të tjera znj. Verushi.
z. Aldrin Dalipi, kreu i Qarkut të Tiranës i pranishëm në takim, theksoi gjithë angazhimin e këshilltarëve vendorë në takimet e kryera dhe falënderoi për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre të çmuar në fazën e dytë të reformës së decentralizimit.
Një vlerësim i veçantë për mbështetësit e kësaj iniciative shkoi dhe për partnerët zviceranë të programit “Bashki të Forta” të financuar nga Qeveria Zvicerane dhe zbatuar nga Helvetas.
Përgjatë muajit Korrik, Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë ka kryer katër takime rajonale ku morën pjesë aktive drejtues të këshillave bashkiakë, ekspertë dhe ish drejtues këshilli të forcave të ndryshme politike nga të gjitha bashkitë në 12-të Qarqet e Shqipërisë për të marrë idetë dhe propozimet e tyre për një angazhim më të madh të tyre në qeverisjen vendore.